Bytyçi: Kuvendi me performancë të turpshme, kaloi vetëm 17 ligje

Bytyçi: Kuvendi me performancë të turpshme, kaloi vetëm 17 ligje

Zëdhënësi i PDK-së, Avni Bytyçi, ka krahasuar punën e ish-kreut të partisë së tij Kadri Veselit me atë të u.d. të presidentes së vendit, Vjosa Osmani.

Sipas Bytyçit, Kuvendi i Kosovës ka qenë në performancë të turpshme, pas ka kaluar vetëm 17 ligje, ku prej tyre 2/3 kanë kaluar me votën e PDK-së.

Bytyçi, në llogarinë e tij në “Facebook”, theksoi: “Përderisa Vjosa Osmani e aktronte rolin e presidentes në vizita të improvizuara, Kuvendi, defakto, ishte nën administrim të Lëvizjes Vetëvendosje”.

Kurse, sipas tij, Veseli kishte arritur të menaxhojë situatën më mirë, saqë në dy gjysmëmandate të tij kanë kaluar më shumë ligje se në tërë legjislaturat e tjera që nga paslufta.

“Kadri Veseli, me një gjendje të rëndë politike, ku opozita e asaj kohe LVV-AAK-NISMA dhe më vonë LVV-LDK, që bllokonin punën e institucionit më të lartë të vendit përmes bojkotit, dhunës politike, gazit, mollotovit e formave të tjera të papranueshme, kishte arritur të menaxhojë situatën deri në atë nivel, saqë në dy gjysmëmandate të tij kanë kaluar pothuajse më shumë ligje se në tërë legjislaturat e tjera që nga paslufta”, ka shkruar ai në “Facebook”.

Më tej Bytyçi theksoi se PDK-ja e bën dallimin.

“Po, pamjet dhe debatet ishin të ulëta, jorrallë edhe të neveritshme, por Kadri Veseli si Kryeparlamentar punën e ka kryer, ligjet janë miratuar, ndërsa Kosova me tërë pengesat e saj kishte përparuar. PDK-ja e bën dallimin”, ka shkruar ai.

LAJME