
Profesori universitar, Milazim Krasniqi ka shkruar dhe festës së Vitit të Ri dhe rreth asaj se a duhet të festohet kjo festë nga myslimanët.
Në një shkrim në Facebook, Krasniqi ka thënë qëndrimin e tij personal se pse festa e Vitit të Ri duhet festuar nga myslimanët.
Ndër të tjera, Krasniqi ka thënë se Viti i Ri ndër ne nuk është festë fetare, por është festë shtetërore.
Ai po ashtu ka shkruar se bredhi është lodër, nuk është simbol fetar.
“Pak a shumë si kukulla. Fëmijët luajnë me të e rreth tij, por nuk e adhurojnë, askush nuk bën rituale fetare rreth bredhit. Pothuajse askush nuk mirret me gjenezën e tij, e cila me kohë ka rezultuar e desemantizuar dhe e transformuar”, ka shkruar Krasniqi.
Postimi i plotë:
(Ky është qëndrim personal lidhur me shënimin e festës së Vitit të Ri ndër ne.)
- Të gjithë ne muslimanët që i përkasim kësaj hapësire gjeografike shqiptare dhe kësaj gjeokulture evropiane, me këtë kalendar e mbajmë evidencë jetën tonë, që nga lindja e deri në vdekje. Secili prej nesh. Prandaj, do të ishte hipokrizi po qe se gjatë tërë vitit orientohemi me këtë kalendar e vetëm në një ditë, në ditën e fundit të vitit, e mohojnë realitetin se administrohemi me këtë kalendar.
- Kalendari diellor, bashkë me atë hënor, si edhe gjatësia e vitit prej 12 muajsh, janë të shpallura nga Zoti i Botëve, në Kuranin famëlartë. Pra, matja e kohës me kalendar diellor është matje e lejueshme nga Zoti.
- Viti i ri ndër ne nuk është festë fetare. Është festë shtetërore. Administrata shtetërore shpall ditë feste dhe pushimi dhe shtetasit detyrohen ta respektojnë formalisht.
- Bredhi është lodër, nuk është simbol fetar. Pak a shumë si kukulla. Fëmijët luajnë me të e rreth tij, por nuk e adhurojnë, askush nuk bën rituale fetare rreth bredhit. Pothuajse askush nuk mirret me gjenezën e tij, e cila me kohë ka rezultuar e desemantizuar dhe e transformuar.
- Njerëzit që gjatë një viti kalendarik kanë pasur suksese e fitime, kanë të drejtë të gëzojnë në fundin e vitit, kur mbyllin bilancet e atij viti. Edhe ata që kanë pasur vështirësi e dhimbje, kanë arsye të shpresojnë për një të ardhme më të mirë.
- Mënyra se si e shënojmë ndërrimin e viteve dhe se si sillemi çdo ditë është në përgjegjësi personale. Askush prej nesh nuk ka asnjë kompetencë ta marrë në përgjegjësi askend. Secili prej nesh e kemi boll nëse arijmë veten ta mbajmë në rrugën e duhur.
- Paçim një vit të ri të mbarë, të gjithë, o shqiptarë të dashur! Dhe qofshim nën mbrojtjen dhe mëshirën e Zotit! Sigurisht, për të qenë nën mbrojtjen e Tij, duhet të punojmë sipas udhëzimeve të Tij, çdo ditë, çdo vit, gjatë tërë jetën sonë në këtë botë.